
Një 64-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka kanosur për jetën një grup xhirimi të televizionit Ora News, teksa gazetarët po realizonin një kronikë për problematikat me një burim uji në fshatin Zbarqë.
Sipas policisë, gazetari, operatori dhe drejtuesi i automjetit kallëzuan se ishin kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës nga një person që po kryente punime pranë burimit të ujit.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Komisariatit Nr. 6 nisën kërkimet dhe arrestuan të dyshuarin S. I., 64 vjeç, në një zonë malore dhe me terren të thepisur në Zbarqë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia njofton se sekuestroi një armë gjahu pa leje, municion dhe një shufër metalike të konsideruar armë e ftohtë.
Nga hetimet rezultoi se 64-vjeçari punonte për llogari të R. P., 70 vjeç, i cili ishte proceduar penalisht më 11 gusht. Sipas policisë, 70-vjeçari dyshohet se kishte hapur pa leje një burim uji (pus) dhe kishte kryer gërmime të paligjshme për hapjen e një rruge.
Ndaj tij po hetohet për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”.
Policia e Tiranës deklaroi se rastet e cenimit apo kërcënimit të gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës do të trajtohen në mënyrë të menjëhershme dhe prioritare.






