
Ndeshja mes AF Elbasani dhe KF Tirana në “Elbasan Arena” u shndërrua në një skenë kaosi dhe dhune, me përleshje masive mes tifozëve dhe ndërhyrje të forta të policisë.
Sfida, e fituar 3-1 nga bardheblutë, u shoqërua me tensione të forta që nisën që para startit të takimit. Jashtë stadiumit pati përplasje mes tifozëve të të dyja skuadrave, ndërsa policia ndërhyri disa herë për të shmangur agravimin e situatës.
Momenti më i rëndë ndodhi në stadium, kur dhjetëra ultras kapërcyen gardhet dhe hynë në fushën e lojës, duke u përleshur fizikisht mes tyre. Situata degradoi edhe më tej me hedhje sendesh të forta nga tribunat.
Në minutën e 66-të, arbitri Juxhin Xhaja u godit me një shishe uji, çka detyroi ndërprerjen e ndeshjes për rreth 14 minuta. Pas rikthimit të gjyqtarëve në fushë, sfida vijoi nën masa të shtuara sigurie dhe tension të vazhdueshëm.
Në fund të takimit, policia shoqëroi 10 tifozë të Tiranës për incidentet dhe aktet e dhunës gjatë ndeshjes.
Përballja kishte rëndësi jetike për objektivat e të dyja skuadrave, me Elbasanin që synonte vendin e parë dhe Tiranën që lufton për mbijetesë, por gjithçka u errësua nga episodet e dhunës në tribuna dhe në fushë.






