Qeveria shqiptare ka miratuar rregulla të reja për hyrjen, qëndrimin dhe tranzitimin e shtetasve të huaj në Shqipëri, duke forcuar kontrollin institucional dhe procedurat e sigurisë për lëshimin e vizave.

Udhëzimi i ri i përbashkët është firmosur nga Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shërbimi Informativ i Shtetit, duke shfuqizuar udhëzimin e vitit 2022. Dokumenti synon harmonizim më të thellë mes institucioneve dhe zgjerim të përdorimit të platformave digjitale si e-visa.al dhe e-Albania.

Një nga ndryshimet kryesore është vendosja e rregullave më të forta për konfidencialitetin gjatë shqyrtimit të aplikimeve. Sipas udhëzimit, komunikimi i aplikuesit apo personave të tretë me strukturat shqyrtuese ndalohet rreptësisht, përveç rasteve kur vetë institucionet kërkojnë kontakt.

Dokumenti përcakton edhe afate të reja për verifikimet nga strukturat e sigurisë. Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe SHISH do të kenë 4 ditë pune për të shqyrtuar aplikimet për leje unike dhe 3 ditë për leje qëndrimi, me mundësi shtyrjeje në raste specifike.

Për personalitete shtetërore apo figura me interes kombëtar, procedura do të jetë e përshpejtuar. Drejtoria e Çështjeve Konsullore mund të japë miratimin brenda 1 dite pune, pa pritur konsultimet standarde me strukturat e sigurisë.

Një procedurë ekspres brenda 24 orëve do të aplikohet edhe për vizat turistike Tipi C për shtetasit nga Bahrejni, Indonezia, Jordania, Omani dhe Tajlanda.

Udhëzimi përcakton gjithashtu rregulla të qarta për llogaritjen e qëndrimit të të huajve pa vizë, sipas formulës europiane të 90 ditëve qëndrim brenda 180 ditëve. Çdo tejkalim i këtij afati do të konsiderohet “qëndrim i parregullt”.

Përjashtim bëhet për shtetasit e United States, të cilëve legjislacioni shqiptar u lejon qëndrim të pandërprerë deri në një vit.

Edhe pse vizat do të lëshohen elektronikisht, autoritetet sqarojnë se vendimi final për hyrjen në territor mbetet në dorën e Policisë Kufitare. Sistemi TIMS do të përditësohet në kohë reale me vizat e lëshuara apo të anuluara, ndërsa hyrja mund të refuzohet edhe për persona që kanë vizë, nëse nuk plotësojnë kushtet ligjore të hyrjes në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu