Hantavirusi, që sot po alarmon botën pas shpërthimit të rasteve në anijen turistike “MV Hondius”, rezulton se është identifikuar në Shqipëri që mbi 40 vite më parë. Rasti i parë i dokumentuar daton në vitin 1985 dhe u publikua në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet më 21 nëntor 1987.

Studimi me titull “Haemorrhagic fever with renal syndrome in a case in northern Albania” përshkruan rastin e një 27-vjeçari nga veriu i Shqipërisë, i cili u shtrua në spital me temperaturë të lartë, dhimbje koke, barku dhe shpine, si edhe të vjella.

Sipas raportit shkencor, gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi brenda pak ditësh. Pacienti shfaqi hemorragji, probleme të rënda me veshkat dhe kaloi në gjendje shoku, duke u transferuar në terapi intensive dhe duke iu nënshtruar hemodializës. Pas një rikuperimi të gjatë, ai arriti të mbijetonte pa pasoja të mëtejshme.

Rasti është rikthyer në vëmendje edhe nga epidemiologia e njohur Silva Bino, e cila publikoi detaje nga studimi në rrjetet sociale. Autorët e raportit ishin E. Eltari, M. Nuti, I. Hasko dhe A. Gina.

Hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe konsiderohet një infeksion potencialisht i rrezikshëm, pasi mund të shkaktojë komplikacione serioze në veshka dhe sistemin e qarkullimit të gjakut.

Virusi është rikthyer në fokus ditët e fundit pas alarmit në kroçerën “MV Hondius”, ku janë raportuar viktima dhe raste të dyshuara infektimi, duke detyruar autoritetet spanjolle të organizojnë operacione evakuimi dhe karantinimi të pasagjerëve.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu