Tensionet mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit po hyjnë në një fazë edhe më të rrezikshme, ndërsa negociatat për një marrëveshje paqeje duket se mbeten larg zgjidhjes. Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër Teheranin, duke e akuzuar se prej 47 vitesh “po luan lojëra me botën”. Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan për t’i dhënë fund luftës, duke e cilësuar atë si “plotësisht të papranueshme”.

“Irani ka luajtur me SHBA-në dhe me gjithë botën për 47 vite. Nuk do të qeshë më”, shkroi Trump në rrjetet sociale, menjëherë pasi Teherani dorëzoi përgjigjen ndaj propozimit amerikan për t’i dhënë fund luftës.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se dialogu nuk do të thotë dorëzim. “Nuk do ta ulim kurrë kokën para armikut”, tha ai, ndërsa parlamenti iranian paralajmëroi SHBA-në se “duhet të pranojë pasojat”.

Situata është ndezur edhe më shumë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë. Ushtria iraniane paralajmëroi se vendet që zbatojnë sanksione ndaj Iranit “do të përballen me probleme” për kalimin e anijeve të tyre në këtë korridor strategjik.

Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “ka ende punë për t’u bërë” kundër Iranit, duke theksuar se Teherani nuk ka hequr dorë nga uraniumi i pasuruar dhe programi bërthamor.

Ndërkohë, konflikti po godet fort tregjet globale. Çmimi i naftës Brent është ngjitur në rreth 100 dollarë për fuçi, ndërsa SHBA po shqyrton edhe pezullimin e taksës federale të karburantit për të frenuar rritjen e çmimeve.

Sulme me dronë janë raportuar edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt, ndërsa Izraeli ka nisur sulme të reja në Libanin jugor ndaj objektivave të Hezbollahut.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse situata në Hormuz përshkallëzohet më tej, bota mund të përballet me një krizë të re energjitike dhe ekonomike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu