Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Elbasani se Shqipëria ndodhet në një moment “shumë vendimtar dhe delikat” në rrugën drejt Bashkimit Europian, ndërsa paralajmëroi se vitet e ardhshme do të jenë më të vështirat për vendin.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, Rama tha se shumica prej 83 mandatesh ishte vendimtare për të mos lejuar bllokimin e negociatave me BE-në.

“Sikur ne të kishim 75 mandate dhe të tjerët të kishin molotovarët, sot do të ishin bllokuar negociatat”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë sulmoi ashpër opozitën, të cilën e quajti “katastrofë ambulante”, ndërsa akuzoi mediat dhe rrjetet sociale për shpërndarje masive të dezinformimit dhe lajmeve të shtrembëruara kundër qeverisë.

Sipas tij, një analizë e realizuar me inteligjencë artificiale mbi mediat shqiptare tregon se shumica e televizioneve dhe portaleve janë kundër qeverisë, duke rrëzuar, sipas Ramës, “mitin e mediave të kapura”.

Në fjalën e tij, Rama ndaloi edhe te reforma në bujqësi, duke njoftuar ndryshimin e skemës së subvencionimit për fermerët. Ai tha se subvencioni për naftën është zëvendësuar me një skemë të re, ku fermerët që shesin me faturë do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të deklaruara.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu krijimin e “Shoqërive të Bashkuara Bujqësore” në disa bashki të vendit, si pjesë e përgatitjeve për integrimin europian dhe formalizimin e ekonomisë rurale.

Duke folur për projektet infrastrukturore, Rama përmendi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII dhe investimet në qarkun e Elbasanit, ndërsa akuzoi mediat se fokusohen vetëm te problemet dhe jo te projektet e realizuara.

Në fund të fjalës, Rama u shpreh se objektivi kryesor mbetet mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian dhe marrja e “certifikatës” që Shqipëria është gati për anëtarësim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu