Derbi i Kupës së Gjermanisë mes Waldhof Mannheim dhe Kaiserslautern është kthyer në skenë dhune dhe kaosi, me 120 persona të lënduar ose që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe disa tifozë të arrestuar.

Sipas policisë, 35 efektivë u plagosën gjatë përplasjeve, ndërsa 85 tifozë morën trajtim mjekësor. Tetë persona u transportuan në spital, por dëmtimet e tyre raportohet se ishin të lehta.

Tensionet shpërthyen pas përfundimit të 90 minutave pa gola. Pas një përplasjeje mes lojtarëve, nga sektori i tifozëve të Kaiserslautern u hodhën mjete piroteknike drejt tribunave vendase, ndërsa tifozë të Mannheim u futën me forcë në fushë.

Policia ndërhyri për të rikthyer kontrollin, duke përdorur edhe efektivë të hipur mbi kuaj. Në total, për ndeshjen ishin mobilizuar rreth 1.400 forca sigurie.

Gjatë takimit pati disa ndërprerje për shkak të mjeteve piroteknike dhe sendeve të hedhura në fushë, ndërsa për një moment u rrezikua edhe ndërprerja përfundimtare e ndeshjes.

Policia ka nisur hetime për plagosje, dëmtim prone, prishje të rëndë të rendit publik, sulme ndaj efektivëve dhe shkelje të ligjit për lëndët shpërthyese.

Pavarësisht trazirave, sfida vazhdoi deri në fund dhe Kaiserslautern fitoi 1-0 falë golit të Ibrahim Kanate në minutën e 120-të, duke eliminuar Mannheim nga Kupa e Gjermanisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu