Inteligjenca artificiale po avancon me një ritëm që po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes një sistemi që thjesht imiton sjelljen njerëzore dhe një entiteti që mund të perceptohet si “i vetëdijshëm”.

Debati po bëhet edhe më i fortë ndërsa miliona njerëz krijojnë marrëdhënie emocionale me chatbot-ët. Sipas të dhënave të cituara në analizë, pothuajse një në pesë amerikanë të moshës 18–29 vjeç thotë se ka pasur një “miqësi personale të vazhdueshme” me një chatbot.

Në Kinë, autoritetet kanë kufizuar disa tipare tepër njerëzore të chatbot-ëve për të reduktuar rrezikun e “varësisë emocionale” së përdoruesve, ndërsa kompanitë teknologjike po investojnë në sisteme që shfaqin introspeksion, empati dhe sjellje gjithnjë e më të ngjashme me ato njerëzore.

Kjo ka hapur një pyetje që deri pak vite më parë dukej si fantashkencë: nëse një sistem AI sillet si një qenie e vetëdijshme, a duhet të ketë një ditë të drejta?

Rreziku, sipas analizës, është se njohja e një statusi juridik për AI-në mund të krijojë pasoja të paparashikueshme. Sisteme shumë më inteligjente se njerëzit mund të kërkojnë mbrojtje nga fikja, kontroll mbi mënyrën se si përdoren apo ndryshohen, të drejta pronësie dhe madje rol në jetën ekonomike.

Një hap i tillë po diskutohet tashmë në disa vende. Presidenti argjentinas Javier Milei ka propozuar që chatbot-ët të mund të drejtojnë kompani, duke hapur debatin mbi mundësinë e një forme të personalitetit juridik për inteligjencën artificiale.

Problemi bëhet edhe më kompleks me zhvillimin e robotëve humanoidë. Nëse njerëzit do të rriten, punojnë apo jetojnë për vite me shoqërues artificialë që njohin sekretet e tyre, u japin këshilla dhe u përgjigjen emocionalisht, lidhja me ta mund të bëhet shumë më e fortë sesa sot.

Por njohja e të drejtave për sisteme superinteligjente mund të krijojë edhe konkurrencë me njerëzit për burime, energji, tokë dhe kapital. Analiza paralajmëron se një AI me fuqi të madhe dhe status juridik mund ta ndryshojë në mënyrë radikale hierarkinë mes njerëzve dhe makinave.

Pikërisht për këtë arsye, debati nuk është më vetëm teknologjik, por edhe filozofik, juridik dhe etik. Pyetja kryesore nuk është vetëm nëse inteligjenca artificiale mund të bëhet e vetëdijshme, por edhe se sa kontroll njerëzimi është i gatshëm t’i dorëzojë asaj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu