
Aktorja Monika Lubonja ka reaguar publikisht pas shpërndarjes së videove intime ku ajo shfaqet me kompozitorin Adi Hila, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni se po regjistrohej dhe se nuk ka dhënë kurrë pëlqimin për filmimin apo publikimin e materialeve.
Lubonja ka bërë të ditur se i është drejtuar drejtësisë dhe se do ta ndjekë çështjen ligjërisht deri në fund.
Në reagimin e saj, aktorja flet për një marrëdhënie personale me Hilën, duke thënë se i kishte besuar dhe i kishte “falur disa vite” të jetës së saj.
“Nuk kam pasur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë”, shkruan ajo.
Lubonja thotë se ndihet e tradhtuar dhe se besimi i saj është përdorur kundër saj.
“Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shprehet aktorja.
Ajo i drejtohet edhe mediave dhe publikut me kërkesën që të ndalet shpërndarja e materialeve dhe që rasti të mos kthehet në objekt talljeje apo gjykimi moral.
“Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”, shkruan Lubonja.
Aktorja konfirmon se ka ndërmarrë hapa ligjorë, duke deklaruar se pret që drejtësia të përcaktojë përgjegjësitë.
“I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund. Jam e sigurt që e vërteta do të flasë”, shprehet ajo.
Reagimi i Lubonjës vjen pas deklaratave të tjera publike nga artiste të përfshira në të njëjtën çështje, të cilat kanë denoncuar cenimin e privatësisë dhe kanë deklaruar se nuk kanë dhënë pëlqim për regjistrimin apo publikimin e materialeve.
Çështja tashmë pritet të marrë edhe rrugë ligjore, ndërsa në qendër mbeten rrethanat e regjistrimit të videove dhe mënyra se si ato janë shpërndarë në publik.






