
Duhej të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh. Por Christa Pike mbijetoi edhe pasi autoritetet i administruan dy doza pentobarbitali. Sot, 50-vjeçarja ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një hetim i pavarur po kërkon të zbulojë se çfarë shkoi keq. Pas saj qëndron një histori 31-vjeçare me një vrasje brutale, një copë kafke të marrë nga vendngjarja, një tentativë tjetër vrasjeje në burg dhe madje një plan për arratisjen e saj.

Christa Gail Pike hyri të mërkurën në dhomën e ekzekutimit të burgut Riverbend në Nashville e bindur se po jetonte minutat e fundit të jetës së saj.
E lidhur në shtratin e ekzekutimit, ajo dha edhe atë që mendohej se do të ishte deklarata e saj e fundit.
“Jam gati të jem e lirë”, tha Pike, duke shtuar se po largohej “me dashuri”.
Pak më vonë nisi injektimi i pentobarbitalit.
Por vdekja nuk erdhi.
Autoritetet i administruan një dozë dhe, pasi Pike vazhdonte të merrte frymë, përdorën edhe dozën e dytë të parashikuar nga protokolli. Përsëri, ajo nuk vdiq. Dëshmitarët në dhomën e ekzekutimit e dëgjuan duke marrë frymë dhe duke gërhitur, ndërsa në momente të caktuara ajo lëvizi dhe u ankua për dhimbje në krah.
Në vend që të largohej nga burgu me makinën e morgut, Pike u nxor me ambulancë.
Më 1 tetor, avokatët e saj njoftuan se ajo ishte ende gjallë, por në gjendje kritike, duke marrë trajtim mjekësor pas tentativës së dështuar për ekzekutim. Shkaku i saktë përse injeksioni vdekjeprurës nuk funksionoi ende nuk është përcaktuar.
Krimi që e dërgoi në “Death Row”
Historia e Christa Pike nisi shumë përpara natës së pazakontë të 30 shtatorit 2026.
Ajo ishte vetëm 18 vjeçe kur, në janar të vitit 1995, u përfshi në vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer. Të dyja ishin pjesë e programit Job Corps në Knoxville, Tennessee.
Sipas akuzës, Pike e konsideronte Slemmer një rivale për të dashurin e saj, Tadaryl Shipp. Më 12 janar 1995, Pike, Shipp, Slemmer dhe një vajzë tjetër, Shadolla Peterson, u larguan nga qendra drejt një zone të izoluar pranë kampusit bujqësor të Universitetit të Tennessee-s.
Slemmer nuk u kthye më.
Trupi i saj u gjet mëngjesin tjetër. Ajo ishte rrahur dhe goditur në mënyrë të përsëritur, ndërsa në trup i ishte gdhendur edhe një pentagram. Elementi i fundit bëri që çështja të merrte jehonë të madhe në SHBA në vitet e të ashtuquajturit “Satanic Panic”.

Copa e kafkës që mori me vete
Një nga provat më të pazakonta të procesit gjyqësor ishte ajo që Pike bëri pas vrasjes.
Sipas dosjes gjyqësore, ajo u tregoi dy vajzave të tjera se kishte vrarë Slemmer dhe u tregoi një copë kocke nga kafka e viktimës, të cilën pretendonte se e kishte marrë nga vendi i krimit.
Hetuesit më vonë gjetën një fragment kafke në xhaketën e Pike. Ekspertët e mjekësisë ligjore e vendosën atë në pjesën e munguar të kafkës së Slemmer dhe konstatuan se përputhej.
Pike u arrestua dhe në vitin 1996 u shpall fajtore për vrasje të shkallës së parë dhe komplot për vrasje.
Ajo u dënua me vdekje, duke u bërë një nga gratë më të reja të dërguara ndonjëherë në “Death Row” në SHBA.

Tre të rinj, tre dënime krejt të ndryshme
Pike nuk ishte e vetme atë natë.
I dashuri i saj, Tadaryl Shipp, ishte 17 vjeç në momentin e krimit dhe për shkak të moshës nuk mund të dënohej me vdekje. Ai mori burgim të përjetshëm.
Shadolla Peterson bashkëpunoi me prokurorinë dhe dëshmoi në proces, duke marrë një dënim shumë më të lehtë.
Pike ishte e vetmja që përfundoi në pritje të ekzekutimit.
Tentoi të vriste një grua tjetër brenda burgut
As burgimi nuk i dha fund episodeve të dhunshme.
Në gusht 2001, gjatë një evakuimi pas një zjarri në burg, Pike u përfshi në një konflikt me të burgosurën Patricia Jones.
Sipas vendimit të gjykatës, Pike e kapi Jones me një lidhëse të fortë këpuce dhe e mbyti deri sa humbi ndjenjat.
Pike u shpall fajtore për tentativë vrasjeje të shkallës së parë dhe mori edhe 25 vjet burg, dënim që do të kryhej paralelisht me dënimin e saj ekzistues.
Edhe një plan për ta nxjerrë nga burgu
Në vitin 2012 emri i saj u rikthye përsëri në media.
Tennessee Bureau of Investigation dhe administrata e burgjeve njoftuan se kishin zbuluar dhe parandaluar një plan për arratisjen e Pike.
Në skemë dyshohej se ishin përfshirë ish-oficeri i burgut Justin Heflin dhe Donald Kohut, një burrë nga New Jersey që e vizitonte Pike në burg.
Autoritetet thanë se hetimi kishte siguruar prova për një komplot për ta ndihmuar atë të arratisej. Dy burrat u akuzuan, ndërsa Pike mbeti në qeli.
Nga vajzë 18-vjeçare në grua 50-vjeçare në pritje të vdekjes
Pike kaloi rreth tri dekada në pritje të ekzekutimit.
Në betejën e fundit për t’i shpëtuar dënimit me vdekje, avokatët e saj sollën në vëmendje fëmijërinë e saj, të cilën e përshkruan si të mbushur me neglizhencë dhe abuzim seksual, si dhe probleme të shëndetit mendor.
Mbrojtja argumentoi gjithashtu se njohuritë e sotme mbi zhvillimin e trurit tek adoleshentët janë shumë më të avancuara sesa në vitet ’90 dhe kërkoi që dënimi i saj të kthehej në burgim të përjetshëm.
Pike nuk e ka mohuar përgjegjësinë për vrasjen dhe në kërkesën për mëshirë ka shprehur pendesë për vdekjen e Slemmer.
Familja e viktimës, nga ana tjetër, ka kërkuar prej dekadash zbatimin e dënimit.
Guvernatori i Tennessee-s, Bill Lee, nuk pranoi ta ndryshonte dënimin.
Gruaja e parë pas më shumë se 200 vjetësh
Nëse ekzekutimi do të kishte përfunduar sipas planit, Christa Pike do të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar nga Tennessee në më shumë se dy shekuj.
Ekzekutimet e grave janë jashtëzakonisht të rralla edhe në nivel kombëtar. Vetëm 18 gra ishin ekzekutuar në SHBA që nga rikthimi i dënimit kapital në vitin 1976.
Por më 30 shtator ndodhi e kundërta.
Dy dozat e pentobarbitalit nuk sollën vdekjen e Pike.
Sipas Death Penalty Information Center, nuk njihet një rast tjetër në epokën moderne të dënimit kapital në SHBA ku një i dënuar të ketë marrë ilaçet e injeksionit vdekjeprurës sipas procedurës dhe të ketë mbijetuar. Në raste të tjera ekzekutimet janë ndërprerë përpara administrimit të ilaçeve, zakonisht për shkak të pamundësisë për të vendosur linjën intravenoze.
Guvernatori ngrin ekzekutimet
Pas asaj që ndodhi, guvernatori Bill Lee e cilësoi rastin “thellësisht shqetësues” dhe urdhëroi një hetim të plotë nga një palë e tretë.
Ai pezulloi gjithashtu ekzekutimin tjetër të planifikuar në Tennessee për pjesën e mbetur të vitit 2026.
Departamenti i Burgjeve këmbëngul se personeli ndoqi të gjithë protokollin e miratuar.
Avokatët e Pike dyshojnë se një nga problemet mund të ketë qenë vendosja e ages intravenoze dhe kanë ngritur pikëpyetje nëse ilaçi hyri siç duhej në venë. Për momentin kjo mbetet vetëm një nga hipotezat që duhet të verifikohet nga hetimi.
Kështu, 31 vjet pas vrasjes që tronditi Tennessee-n, çështja Christa Pike ka prodhuar një tjetër histori të pazakontë: shteti u përpoq ta ekzekutonte, i dha dy doza të ilaçit që duhej ta vriste, por ajo doli nga burgu gjallë — me ambulancë.
Në Shqipëri do të thoshin: nuk e gjen gjë, gjënë e keqe!



