Situata me zjarret në vend mbetet problematike. Gjatë 12 orëve të fundit janë regjistruar 25 vatra zjarri, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 454 forca operacionale, 47 automjete zjarrfikëse, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni zjarrfikës “Air Tractor” dhe 3 mjete zjarrfikëse të ushtrisë.

Operacionet vijojnë në zonën e Dajtit dhe në fshatin Priskë të Tiranës, ku nuk raportohet rrezik për banesat. Në Mallakastër, zjarri në zonat Riban dhe Ngraçan po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri.

Vatra aktive ka edhe në qarkun e Elbasanit, në Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe malin e Valamarës, ku disa prej tyre janë vënë nën kontroll. Ndërkohë, në Kostren 2 të Beratit është riaktivizuar një vatër zjarri, ndërsa flakët në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet-Drojë të Kurbinit janë shuar.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat e angazhuara vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu