
Një 40-vjeçar ka humbur jetën këtë të enjte gjatë punës në një kantier ndërtimi në lagjen nr. 4 të Durrësit.
Sipas policisë, rreth orës 15:00, shtetasi me iniciale E. L. humbi ndjenjat gjatë punës dhe u transportua me urgjencë në spital. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai nuk arriti të mbijetojë.
Sipas informacioneve paraprake, 40-vjeçari dyshohet se vuante nga probleme shëndetësore dhe, në kushtet e temperaturave të larta, ka pësuar atak kardiak.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






