Reshjet e dendura të shiut nuk ndalën pelegrinët që këtë të martë janë ngjitur drejt Kishës së Shën Antonit në Laç.

Me çadra në duar dhe nën kushte jo të lehta atmosferike, besimtarët kanë vijuar ritualin e lutjeve dhe ndezjes së qirinjve, në atë që konsiderohet e marta e gjashtë që nga 17 marsi.

Pamjet tregojnë besimtarë që sfidojnë shiun për të qenë pjesë e këtij pelegrinazhi të përjavshëm, një traditë e rrënjosur thellë në besimin popullor.

Edhe pse moti i keq ka vështirësuar lëvizjen, lutjet nuk janë ndërprerë dhe qirinjtë kanë vijuar të ndizen në ambientet e kishës duke mos u shuar edhe nga shiu që binte litar siç duket në videon e mëposhtme.

Kisha e Shën Antonit në Laç është një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri. Ajo lidhet me figurën e Shën Antonit të Padovës, një shenjtor i njohur në traditën katolike si ndërmjetësues për ata që kërkojnë ndihmë dhe shpresë në momente të vështira.

Besimtarët besojnë se lutjet e bëra në këtë vend kanë fuqi të veçantë, ndërsa tradita e të martave kulmon çdo vit më 13 qershor, në ditën e Shën Antonit. Pavarësisht kushteve atmosferike, pelegrinazhi në Laç mbetet një nga shprehjet më të forta të besimit në vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu