Mijëra pelegrinë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të rajonit janë mbledhur në Kishën e Shna Ndout në Laç për të kremtuar festën e shenjtit, që kulmon më 13 qershor.

Shumë besimtarë kanë zgjedhur të kalojnë natën në ambientet e kishës, në pritje të meshës solemne dhe riteve fetare që zhvillohen në ditën e festës. Ata shprehen se rikthehen çdo vit në këtë vend të shenjtë, duke besuar te ndërmjetësimi i Shna Ndout për lutjet dhe kërkesat e tyre.

Pelegrinët thonë se vijnë me shpresë, falënderime dhe lutje për shëndet, paqe dhe mbarësi për familjet e tyre.

Kisha e Shna Ndout në Laç konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri dhe në Ballkan. Gjatë gjithë vitit ajo vizitohet nga besimtarë të feve të ndryshme, ndërsa kulmi i pelegrinazhit shënohet çdo 12 dhe 13 qershor.

Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash. Nga mbrëmja e 12 qershorit deri në mesnatën e 13 qershorit janë vendosur kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore që të çojnë drejt kishës.

Autoritetet kanë përcaktuar gjithashtu zona të posaçme parkimi dhe kufizime për mjetet me tonazh të lartë, me qëllim shmangien e bllokimit të trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes së pelegrinëve.

Më 13 qershor, besimtarët katolikë në mbarë botën kremtojnë festën e Shën Antonit të Padovës, duke përkujtuar ditën e vdekjes së tij në vitin 1231.

Në qytetin e Padovës në Itali, ku ndodhet varri i shenjtit, kjo datë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare të vitit. Mijëra pelegrinë nga vende të ndryshme mbërrijnë çdo vit në Bazilikën e Shën Antonit për të marrë pjesë në meshat solemne, procesionet fetare dhe aktivitetet përkujtimore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu