Protesta kundër investimit në Zvërnec dhe kundër klasës politike vijoi mbrëmjen e së premtes në Tiranë, me pjesëmarrësit që marshuan nga Kryeministria drejt Sheshit Italia.

Protestuesit mbushën rrugët e kryeqytetit me flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Marshimi u ndal në disa pika të Tiranës, përfshirë zonën e Sheshit Wilson, ku u hodhën thirrje për vazhdimin e protestës.

Kulmi i marshimit ishte mbërritja në Sheshin Italia, ku vetëm pak orë më parë Partia Socialiste kishte zhvilluar aktivitetin festiv për 35-vjetorin e themelimit të saj. Protestuesit e cilësuan praninë e tyre në këtë shesh si një mesazh politik ndaj kryeministrit.

Gjatë protestës u përsëritën kërkesat për largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës nga skena politike, si dhe kundërshtimi ndaj projektit të planifikuar në Zvërnec.

Në tubim foli edhe aktivistja Arlida Lleshi, e cila vlerësoi veprimet e SPAK lidhur me hetimet për çështjen e pronave në Zvërnec dhe operacionin e fundit kundër grupeve kriminale. Ajo deklaroi se protestuesit do të vijojnë mobilizimin e tyre dhe paralajmëroi aksione të tjera nëse do të ketë zhvillime të reja hetimore.

Protesta e së premtes ishte dita e 13-të radhazi e mobilizimit kundër projektit në Zvërnec, një lëvizje që në ditët e fundit ka zgjeruar axhendën e saj edhe me kërkesa politike kundër qeverisë dhe opozitës tradicionale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu