
Kompozitori Adrian Hila është proceduar penalisht në gjendje të lirë në lidhje me çështjen e videove intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në internet.
Materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Procedimi lidhet me faktin se kamera e sigurisë që ka regjistruar pamjet brenda banesës ishte vendosur nga vetë Hila.
Zhvillimi vjen një ditë pasi kompozitori dha dëshminë në Policinë e Tiranës, ku deklaroi se kamerat i kishte instaluar rreth vitit 2023 për arsye sigurie, pas grabitjes së banesës së një fqinji.
Hila deklaroi se kishte kamera si brenda, ashtu edhe jashtë banesës, ndërsa mohoi të kishte shkarkuar materialet intime apo të kishte pasur dijeni për publikimin e tyre.
Ndërkohë, hetimet vijojnë paralelisht edhe për të përcaktuar se si pamjet kanë dalë nga sistemi i kamerave dhe kanë përfunduar në internet.
Në këtë kuadër po hetohet edhe për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Videot e shpërndara në rrjet shfaqin kompozitorin në momente intime me persona të tjerë, mes të cilëve edhe personazhe të njohura publike.
Hetimet pritet të përcaktojnë si janë siguruar materialet, kush i ka nxjerrë nga sistemi dhe kush qëndron pas shpërndarjes së tyre në internet.






