
Kryeministri Edi Rama ka komentuar hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë nga SPAK, duke deklaruar se, sipas tij, jo të gjitha procedurat e ndjekura përputhen me standardet europiane. Në një intervistë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, Rama foli edhe për korrupsionin, përgjegjësinë politike dhe protestat kundër qeverisë.
Duke iu referuar edhe çështjes së ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, Rama tha se Shqipëria ka kaluar nga një sistem ku korrupsioni ishte pjesë e funksionimit të shtetit, në një sistem që lufton korrupsionin.
“Shqipëria ishte një vend ku korrupsioni ishte sistemi. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi lufton kundër korrupsionit. Jemi në fazën përfundimtare të pastrimit të vendit”, deklaroi Rama.
I pyetur posaçërisht për SPAK-un dhe goditjet ndaj zyrtarëve të rangut të lartë, kryeministri ngriti rezerva për disa prej procedurave të ndjekura.
“Pjesërisht është e dhimbshme. Jo të gjitha procedurat, sipas mendimit tim, përputhen me standardet europiane. Shqipëria ka normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent. Por kjo është pjesë e një procesi të ashpër dhe të pashmangshëm”, tha Rama.
Kryeministri kundërshtoi gjithashtu kërkesat që përgjegjësitë individuale të zyrtarëve të hetuar apo dënuar të përkthehen automatikisht në përgjegjësi politike të tij.
“Para se të merrja detyrën, që nga viti 1912, kur u themelua shteti ynë, asnjë ministër në Shqipëri nuk kishte dalë ndonjëherë përpara një prokurori të pavarur. Jam krenar që vendi ynë tani është në gjendje t’i mbajë njerëzit përgjegjës, kudo që ndodhen. Kjo është përgjegjësia ime politike”, deklaroi ai.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe protestave kundër qeverisë dhe kundërshtimeve ndaj projektit të investimit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump.
Rama pranoi se protestuesit mund të kenë shqetësime legjitime, por tha se, sipas tij, një pjesë e debatit ushqehet nga informacione të rreme dhe teori konspirative.
“Protestuesit kanë shqetësime që janë tërësisht të ligjshme dhe këtë nuk e mohoj. Por ata nxiten nga gënjeshtra dhe teoritë konspirative”, tha kryeministri.
Ai sqaroi se ende nuk ka një kontratë përfundimtare për investimin dhe se vlerësimi i ndikimit në mjedis vazhdon. Sipas Ramës, bëhet fjalë për dy projekte të ndryshme, një në një ishull në pronësi publike dhe një tjetër në një gadishull në pronësi private.
Por deklarata më e fortë e kryeministrit erdhi kur u pyet për kritikat ndërkombëtare ndaj projektit.
“Është hija e gjatë e Donald Trumpit, e cila ka sjellë këtu të gjitha mediat e botës dhe të gjithë të majtët”, tha Rama.
Kryeministri tregoi se këtë qëndrim ua ka shprehur edhe miqve të tij demokratë në Shtetet e Bashkuara.
“Nëse nuk mundeni ta mundni Trumpin në Amerikë, mos ejani në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi Rama.






