Prokuroria e Tiranës ka nisur veprime të rëndësishme hetimore për të zbuluar se kush e qëlloi me plumb gome në sy protestuesin Erjon Vishkulli gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet.

Hetimi është përqendruar te ndërhyrja e forcave të policisë dhe përdorimi i armëve me plumba gome, ndërsa prokurorët po mbledhin prova për të identifikuar personin që qëlloi dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme penale.

Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhi plagosja. Pamjet pritet të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e efektivit që mund të ketë përdorur armën.

Paralelisht, është kryer këqyrja e vendngjarjes dhe janë sekuestruar gëzhoja të municioneve me plumba gome, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.

Një tjetër veprim i rëndësishëm është kontrolli i armatimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Gjatë ditës së martë, 27 tetor, hetuesit po verifikojnë armët dhe municionet e përdorura nga efektivët gjatë ndërhyrjes në protestë.

Hetimet shtrihen edhe në Itali, ku Erjon Vishkulli po merr trajtim mjekësor pas plagosjes.

Prokuroria ka sekuestruar kartelën e tij mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ka nisur një letërporosi drejt autoriteteve italiane për sigurimin e dokumentacionit të trajtimit të tij.

Por një nga provat më të rëndësishme mund të jetë vetë plumbi i gomës që ndodhet në syrin e protestuesit.

Organi i akuzës ka kërkuar që, në momentin kur ai të hiqet gjatë ndërhyrjes mjekësore, të ruhet dhe t’u dorëzohet hetuesve për ekzaminim.

Kjo provë, së bashku me gëzhojat, armët e kontrolluara dhe pamjet filmike, mund të ndihmojë në përcaktimin e armës së përdorur dhe autorit të të shtënës.

Plagosja e Erjon Vishkullit gjatë protestës ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu