
Shqipëria e mbylli këtë edicion me pesë fitore dhe vetëm një humbje, duke siguruar rikthimin në një nivel më të lartë të kompeticionit europian.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm dhe krijuan rastet e para të rrezikshme. Në minutën e 17-të, Kristjan Asllani ishte shumë pranë golit, por goditja e tij nga distanca u ndal nga traversa.
Avantazhi erdhi në minutën e 28-të, kur Rey Manaj mori topin në kufijtë e zonës dhe me një goditje të fuqishme mposhti portierin bjellorus.
Në pjesën e dytë, Bjellorusia u përpoq të rikthehej në lojë, por Shqipëria goditi sërish.
Në minutën e 57-të, Elseid Hysaj depërtoi nga krahu i djathtë dhe goditi drejt portës. Topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke dyfishuar avantazhin e kuqezinjve.
Gjashtë minuta më vonë, arbitri akordoi një penallti për Shqipërinë pas rrëzimit të Laçit në zonë, por vendimi u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për një pozicion jashtë loje gjatë aksionit.
Në minutat e mbetura, Kombëtarja administroi rezultatin, duke e mbyllur takimin me një fitore të pastër.
Rey Manaj shkruan historinë, kalon Alban Bushin
Përveç ngjitjes në Ligën B, kjo përballje shënoi edhe një arritje personale për Rey Manajn.
Sulmuesi realizoi golin e tij të 15-të me fanellën kuqezi, duke kaluar Alban Bushin në renditjen historike të golashënuesve të Kombëtares.
Manaj ngjitet në vendin e dytë, vetëm tri gola larg rekordmenit Erjon Bogdani, i cili numëron 18 realizime.
Me triumfin ndaj Bjellorusisë, Shqipëria e mbyll në mënyrën më të mirë aventurën në Ligën C, duke siguruar vendin e parë dhe ngjitjen në Ligën B.
Bjellorusi – Shqipëri 0-2
Golat: Rey Manaj 28’, Elseid Hysaj 57’.






