Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Astrit Haraqija, është arrestuar gjatë një operacioni antidrogë në Prishtinë, ku policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze, para dhe sende të tjera me vlerë të përgjithshme rreth 301 mijë euro.

Operacioni i koduar “Heshtja” u zhvillua të shtunën, pas disa muajsh hetimesh ndaj një grupi të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Sipas Policisë së Kosovës, hetimet kanë zbuluar një strukturë të organizuar me role të ndara, nga drejtuesit e dyshuar deri te personat e përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Mes personave të arrestuar janë ish-ministri Astrit Haraqija, Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku dhe Gëzim Feka. Ndërkohë, Baftije Feka është shpallur në kërkim.

Kokainë, makina luksoze dhe ora Rolex

Gjatë kontrolleve në disa vendndodhje në Prishtinë, policia sekuestroi rreth 1.6 kilogramë kokainë, me vlerë të përllogaritur 111 mijë euro.

U gjetën gjithashtu sasi marihuane, tableta të dyshuara ekstazie dhe një substancë tjetër që ende nuk është identifikuar.

Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen gjashtë automjete, mes tyre Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan.

Autoritetet konfiskuan edhe rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora luksoze, përfshirë Rolex, stoli të çmuara, një armë zjarri me municion, telefona celularë dhe pajisje elektronike.

Vlera e përgjithshme e lëndëve narkotike dhe pasurive të sekuestruara, sipas policisë, arrin në rreth 301 mijë euro.

Avokati i ish-ministrit: Në banesë nuk u gjet asgjë inkriminuese

Arrestimin e Astrit Haraqijës e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Korab Bokshi, i cili kundërshton dyshimet ndaj klientit.

“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve”, ka deklaruar avokati.

Sipas Bokshit, ish-ministri është pyetur për disa persona, të cilët dyshohet se mund t’i njohë për shkak të aktivitetit të tij publik.

Avokati pretendon se gjatë kontrollit të banesës së Haraqijës nuk është gjetur asnjë provë inkriminuese që lidhet me veprën penale nën hetim.

“I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka deklaruar ai.

Astrit Haraqija ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës në Kosovë gjatë viteve 2004–2008.

Hetimet për operacionin “Heshtja” vijojnë, ndërsa personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu