Komisioni Europian ka hedhur një hap të ri në përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin, ndërsa Shqipëria përfshihet mes katër vendeve kandidate për të cilat do të hartohet një udhërrëfyes i posaçëm drejt anëtarësimit.

Në paketën e miratuar këtë të martë për “Rishikimet e Politikave përpara Zgjerimit”, Komisioni Europian përcakton se në kuadër të Paketës së Zgjerimit 2026 do të prezantojë udhërrëfyes orientues për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, me kusht që këto vende të ruajnë ritmin e reformave.

Dokumenti përbën një nga sinjalet më të rëndësishme të viteve të fundit për mënyrën se si BE synon të funksionojë kur të pranojë anëtarë të rinj.

Brukseli arrin në përfundimin se Bashkimi Europian mund të zgjerohet pa qenë e nevojshme një rindërtim i plotë i traktateve dhe institucioneve të tij. Në vend të kësaj, Komisioni propozon ndryshime të synuara në mënyrën e vendimmarrjes, në buxhet dhe në mekanizmat për mbrojtjen e shtetit të së drejtës.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me veton. Komisioni kërkon përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në fusha të caktuara, si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe disa politika energjetike.

Shumica e cilësuar propozohet gjithashtu për hapjen e grup-kapitujve dhe vendime të ndërmjetme gjatë negociatave të anëtarësimit, duke synuar që një shtet i vetëm të ketë më pak mundësi për të bllokuar procesin.

Një tjetër risi prek drejtpërdrejt vendet që do të hyjnë në BE në valën e ardhshme të zgjerimit.

Komisioni propozon që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përmbajnë mekanizma shumë më të fortë kundër regresit në shtetin e së drejtës. Në rastet më të rënda, masat mund të shkojnë deri në pezullimin e së drejtës së votës në Këshillin e BE-së.

Parashikohet gjithashtu që për një periudhë të kufizuar anëtarët e rinj të mund të angazhohen të mos bllokojnë zgjerimet e ardhshme apo vendime të lidhura me mosmarrëveshje dypalëshe.

Edhe paratë e BE-së do të lidhen më fort me reformat. Financimet për vendet kandidate dhe më pas për shtetet e reja anëtare do të kushtëzohen me përmbushjen e angazhimeve, ndërsa fondet mund të pezullohen ose reduktohen nëse kushtet nuk respektohen.

Për Shqipërinë, një element tjetër me rëndësi është modeli i integrimit gradual. Ai do t’u mundësojë vendeve kandidate të hyjnë në pjesë të tregut dhe programeve europiane përpara se të bëhen formalisht anëtare.

Komisioni përmend si fusha prioritare energjinë, transportin, teknologjinë dixhitale dhe mbrojtjen, ndërsa pjesëmarrja do të varet nga përparimi i secilit vend në reforma.

Kjo do të thotë se Shqipëria mund të përfitojë gjithnjë e më shumë nga mekanizmat dhe politikat e BE-së përpara ditës së anëtarësimit të plotë, por përfitimet do të jenë të kushtëzuara dhe të kthyeshme nëse procesi i reformave ndalet.

Komisioni Europian thekson se zgjerimi është tashmë një domosdoshmëri gjeopolitike për Europën, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria në kontinent kanë rikthyer me forcë çështjen e kufijve të ardhshëm të Bashkimit.

Hapi tjetër për Shqipërinë pritet të jetë pikërisht udhërrëfyesi specifik që Komisioni do të paraqesë në Paketën e Zgjerimit 2026, dokument që pritet të japë një panoramë më konkrete të fazave dhe kushteve që mbeten në rrugën drejt anëtarësimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu