Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është rikthyer me një mesazh të pazakontë në rrjetet sociale, këtë herë të realizuar me Inteligjencë Artificiale, përmes të cilit ka bërë një bilanc të investimeve në arsim dhe ka përsëritur premtimin për ushqim falas në shkollat e kryeqytetit.

Veliaj thotë se edhe pse prej 20 muajsh ndodhet i izoluar, kjo nuk do ta pengojë të vijojë projektet që, sipas tij, i ka nisur për Tiranën.

Në mesazhin e publikuar, ai kthehet në vitin 2015, kur mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke kujtuar gjendjen e çerdheve dhe nismën “Adopto një çerdhe”, e cila sipas tij u pasua më pas nga investimet në kopshte, shkolla dhe kënde lojërash.

Veliaj pretendon se gjatë administrimit të tij Tirana ka sot mbi 50 shkolla të reja dhe 115 kopshte e çerdhe të reja.

Ai ndalet edhe te problemi i dikurshëm i mësimit me dy turne, duke kujtuar se mijëra nxënës zhvillonin mësim në klasa të mbipopulluara, ndërsa pas tërmetit të vitit 2019, sipas tij, rindërtimi i shkollave u kthye në një prej prioriteteve të bashkisë.

Por pjesa më e fortë e mesazhit lidhet me një premtim ende të parealizuar: ushqimin falas për nxënësit.

“Kam marrë edhe një zotim tjetër, që nuk e harroj: ushqimin në shkolla. Vërtet më kanë kyçur duke më zënë në pritë, por këtë premtim do ta mbaj, sado të duan të më largojnë nga qyteti im dhe i juaji”, shprehet Veliaj.

Ai e mbyll mesazhin me deklaratën se do të vijojë të punojë edhe nga qelia, duke e cilësuar Tiranën si “nderin e jetës” së tij.

Premtimi për ushqim falas në shkollat e Tiranës ishte bërë publik më herët nga Veliaj dhe parashikonte që nxënësit të merrnin një vakt falas. Projekti nuk u realizua brenda afatit të shpallur fillimisht dhe gjatë muajve pasues u diskutuan variante të ndryshme për mënyrën e zbatimit të tij.

Tashmë Veliaj e rikthen sërish këtë zotim, këtë herë përmes një mesazhi të realizuar me Inteligjencë Artificiale, duke deklaruar se izolimi i tij nuk do ta ndalojë ta çojë përpara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu