Inteligjenca Artificiale po ndryshon me shpejtësi edhe marrëdhënien mes mjekut dhe pacientit në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë qytetarë konsultojnë simptomat me ChatGPT përpara se të paraqiten te mjeku, ndërsa disa shkojnë edhe më tej, duke kryer analiza apo duke ndjekur rekomandime pa një konsultë profesionale.

Mjekë të specialiteteve të ndryshme të intervistuar nga BIRN thonë se një pjesë shumë e madhe e pacientëve paraqiten në vizitë pasi kanë kërkuar më parë informacion nga ChatGPT. Disa prej tyre mbërrijnë të bindur se e dinë diagnozën, ndërsa të tjerë kanë kryer paraprakisht analiza të kushtueshme.

Një psikologe tregon rastin e një studenteje të mjekësisë, e cila ishte bindur se vuante nga çrregullimi obsesivo-kompulsiv pas konsultimit me ChatGPT. Pas tre seancave dhe testeve të specializuara, psikologia arriti në përfundimin se diagnoza nuk qëndronte.

Situata po krijon edhe përplasje mes pacientëve dhe mjekëve. Një obstetër-gjinekologe tregon se një paciente i kishte kërkuar shpjegime pasi përgjigjja e saj nuk përputhej me atë që kishte marrë nga një platformë e Inteligjencës Artificiale pas ngarkimit të fotografisë së një ekoje.

Mjekja thekson se një fotografi e vetme nuk mund të zëvendësojë ekzaminimin e plotë dhe vëzhgimin e pacientit në kohë reale.

Një tjetër shqetësim lidhet me analizat e panevojshme. Mjekët raportojnë raste kur pacientët kanë kryer paketa të gjera analizash, përfshirë edhe markerë tumoralë, vetëm sepse ua kishte sugjeruar një chatbot, duke krijuar kosto të panevojshme financiare dhe ankth.

Megjithatë, jo të gjithë profesionistët e shohin Inteligjencën Artificiale vetëm si kërcënim. Disa mjekë argumentojnë se ajo mund të jetë një aleat i dobishëm për informimin fillestar të qytetarëve, me kusht që të mos përdoret si zëvendësim i diagnozës dhe vendimmarrjes mjekësore.

“Inteligjenca i përgjigjet nivelit të pyetjes që ti bën dhe kritereve që ti fut aty. Por nuk të jep kurrë përgjigjen që do ta jepte një mjek”, shprehet stomatologu Enea Tona.

Ekspertët e shëndetit publik kërkojnë edhe ndërhyrje rregullatore. Një prej propozimeve është që disa analiza të specializuara të mos kryhen pa rekomandim mjekësor dhe që farmacitë të mos japin medikamente pa recetë vetëm sepse ato janë sugjeruar nga një sistem IA.

Në Shqipëri ende mungon një kuadër i posaçëm rregullator për Inteligjencën Artificiale në shëndetësi, ndërsa projektligji për IA ndodhet në fazën e konsultimit.

Mjekët nuk kërkojnë që qytetarët të ndalojnë së përdoruri ChatGPT për informacion, por paralajmërojnë se diagnoza, trajtimi dhe marrja e medikamenteve duhet të mbeten në duart e profesionistëve.

Në fund, rregulli më i thjeshtë duket se është ai që vetë një prej përdorueseve të ChatGPT-së ka vendosur për veten: ta përdorë për informacion, por për vendime të rëndësishme dhe ilaçe të ndjekë vetëm këshillën e mjekut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu