
Disa prej platformave më të mëdha të inteligjencës artificiale në botë u përballën këtë të enjte me probleme teknike pothuajse në të njëjtën kohë, duke shkaktuar ndërprerje për mijëra përdorues.
ChatGPT i OpenAI regjistroi një rritje të ndjeshme të gabimeve, ndërsa probleme pati edhe shërbimi Codex. Kompania konfirmoi incidentin dhe nisi punën për rikthimin e plotë të shërbimeve.
Edhe Claude i Anthropic u përball me ndërprerje në disa prej modeleve të tij, ndërsa probleme u raportuan gjithashtu me Grok. Mijëra përdorues sinjalizuan pamundësi për t’u lidhur me platformat ose gabime gjatë përdorimit të tyre.
Raportime për probleme pati edhe për Gemini të Google, megjithëse të dhënat për shkallën e ndërprerjes së këtij shërbimi kanë qenë të ndryshme.
Fakti që disa prej platformave kryesore të inteligjencës artificiale patën probleme në të njëjtën periudhë tërhoqi vëmendjen, por deri tani nuk ka konfirmim se ndërprerjet kanë pasur një shkak të përbashkët.
Shërbimet nisën gradualisht të rikthehen, ndërsa kompanitë vijuan monitorimin e sistemeve.






