
Zhvillime të reja janë regjistruar pas ngjarjes së rëndë në resortin “Regina” në Vlorë. Policia ka shoqëruar Luan Muçën, pronarin e “Deltës”, ndërsa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt janë shpallur në kërkim.
Ngjarja u raportua fillimisht si një rast i dyshuar gjobëvënieje. Pronari i resortit “Regina”, Vasil Bedinaj, pretendoi se një grup personash të armatosur e kishte kërcënuar dhe i kishte kërkuar 5 milionë euro.
Por orët e fundit është hedhur në qarkullim një tjetër pistë për motivin e përplasjes. Sipas informacioneve të raportuara në media, konflikti mund të lidhet me një mosmarrëveshje mes dy biznesmenëve për ndërtimin e një resorti në jug të vendit.
Policia, në njoftimin e saj paraprak, nuk e ka konfirmuar pretendimin për gjobën prej 5 milionë eurosh dhe as motivin e konfliktit.
Ajo ka konfirmuar se pas telefonatës së Bedinajt për persona të armatosur, efektivët janë vënë në ndjekje të një automjeti. Makina është aksidentuar pranë Pusit të Mezinit dhe brenda saj janë gjetur tre persona, dy prej të cilëve të dëmtuar, si dhe një pistoletë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar se çfarë fshihet pas përplasjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.




