
Biznesmeni Luan Muça ka reaguar publikisht për herë të parë pas konfliktit me Vasil Bedinajn në ambientet e hotelit “Regina Palm” në Vlorë, duke mohuar akuzën se i ka kërkuar 5 milionë euro dhe duke pretenduar se përplasja lidhet me një konflikt pronësie në Palasë.
Në deklaratën e tij, Muça thotë se që prej vitit 2019 ka investuar në zonën e Palasës dhe se ka blerë rreth 97 mijë metra katrorë tokë nga pronarë vendas. Sipas tij, në vitin 2021 ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe më pas ka nisur procedurat për ndërtimin e një hoteli me pesë yje.
Muça pretendon se më vonë ka konstatuar se mbi një pjesë të sipërfaqes që ai thotë se e kishte blerë ishte dhënë një tjetër leje ndërtimi. Për këtë arsye, sipas tij, iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për verifikim.
Ai thotë se pas këtij komunikimi është telefonuar nga Vasil Bedinaj dhe se mes tyre është rënë dakord për një takim në Orikum.
Sipas versionit të Muçës, takimi është tensionuar shpejt. Ai pretendon se Bedinaj ka thirrur persona të armatosur dhe se, teksa po largohej nga ambientet e hotelit, ndaj tij dhe personave që e shoqëronin është qëlluar me armë.
“Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh”, deklaron Muça, i cili i kërkon Policisë së Shtetit të identifikojë personat që, sipas tij, hapën zjarr.
Biznesmeni mohon kategorikisht pretendimin se i ka vendosur gjobë Bedinajt dhe thotë se është i gatshëm të bëjë publike dokumentet që, sipas tij, provojnë pretendimet për pronën dhe investimin në Palasë.
Versioni i Muçës bie ndesh me pretendimet e Vasil Bedinajt dhe me dyshimet e ngritura fillimisht nga policia për ngjarjen. Hetimet për konfliktin vijojnë dhe pretendimet e palëve mbeten objekt verifikimi nga organet e drejtësisë.
Reagimi vjen pasi Gjykata e Vlorës e liroi Muçën nga qelia, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.






