Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngërçin e krijuar me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se përcaktimi i fondeve për pushtetin gjyqësor duhet të ndjekë procedurën kushtetuese dhe se vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit.

“Secili institucion në vendin e vet”, shkruan Rama, ndërsa ka shpërndarë një pjesë nga konferenca e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për çështjen.

Kryeministri argumenton se fondi i pagave të pushtetit gjyqësor propozohet nga ekzekutivi dhe miratohet nga pushteti legjislativ.

“E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e Thesarit të Shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe”, shprehet Rama.

Përplasja nisi pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan një pagë të re referuese për magjistratët, me argumentin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda afatit të 31 korrikut.

KLGJ dhe KLP vendosën që prej 1 gushtit paga të llogaritet mbi një pagë referuese prej 222 mijë lekësh, nga 156.800 lekë që ishte më parë. Kësaj shume i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit.

Pagesat sipas kësaj formule nuk janë ekzekutuar nga Thesari i Shtetit, duke krijuar ngërçin mes institucioneve.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se zgjidhja do të kalojë në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Sipas interpretimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të paraqitur në këtë debat, Kuvendi duhet të përcaktojë formulën përfundimtare të pagave, duke respektuar njëkohësisht detyrimet që burojnë nga vendimi i Kushtetueses.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu