Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përplasjes së një dite më parë mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, duke njoftuar një vendim që prek drejtpërdrejt zonën e pronës që është bërë objekt i konfliktit mes palëve.

Videomesazhi

Rama deklaroi se qeveria do të shpronësojë tokën në Palasë, ku parashikohej ndërtimi i një resorti, dhe do ta kthejë atë në ullishte.
Kryeministri e cilësoi atë që ndodhi mes dy biznesmenëve si një konflikt “banal dhe brutal”, ndërsa tha se vendimi është marrë edhe pas analizimit të hartës pronësore të zonës.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo menaxhojnë asete turistike”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, investitorët dhe operatorët që veprojnë në sektorin e turizmit duhet të kuptojnë se sjelljet e tyre nuk mund të cenojnë atë që ai e konsideroi “misionin kombëtar të Shqipërisë turistike”.
Vendimi i paralajmëruar nga Rama vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë në “Regina Palm”, ku u përplasën grupet e lidhura me dy biznesmenët. Bedinaj ka pretenduar se i është kërkuar një gjobë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Muça e ka mohuar këtë version, duke deklaruar se konflikti lidhet me një çështje pronësie. Hetimet për ngjarjen vijojnë.
Tashmë, përtej hetimit penal për atë që ndodhi në “Regina Palm”, prona që qëndron në sfondin e përplasjes merr një tjetër drejtim: sipas Ramës, shteti do ta shpronësojë dhe do ta kthejë në ullishte.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu