
Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në një resort në Vlorë, ku pronari ka njoftuar uniformat blu se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Sipas njoftimit zyrtar, telefonata në Polici është bërë rreth orës 11:30. Menjëherë drejt resortit janë nisur shërbimet policore, ndërsa në disa zona janë ngritur pika kontrolli për kapjen e personave të përfshirë.
Në afërsi të Pusit të Mezinit, policia ka konstatuar një automjet që po lëvizte me shpejtësi dhe është vënë në ndjekje të tij.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi ka humbur kontrollin e automjetit dhe është aksidentuar. Brenda makinës ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve janë dëmtuar nga aksidenti, ndërsa i treti nuk ka pësuar probleme shëndetësore.
Kontrolli i automjetit ka zbuluar edhe një armë zjarri pistoletë, e cila është sekuestruar nga policia.
Për ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për rindërtimin e dinamikës dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
DVP Vlorë po bashkëpunon edhe me drejtoritë e policisë në qarqe të tjera për kontrollet dhe kapjen e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.
Më herët, mediat raportuan se biznesmeni Vasil Bedinaj kishte deklaruar se një grup prej më shumë se 10 personash i kishte kërkuar 5 milionë euro, nën kërcënimin që të largohej nga Shqipëria. Këto dy elemente nuk konfirmohen në njoftimin paraprak të Policisë.
Policia paralajmëron se, për shkak se operacioni dhe hetimet vijojnë, pas përfundimit të veprimeve të para do të publikojë një informacion më të plotë.






