Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një postimi të Partisë Demokratike Europiane, ku pretendohet se rreth 200 profile në Instagram, të lidhura me lëvizjen e ashtuquajtur “Flamingot”, janë çaktivizuar ose kufizuar.

Rama e cilëson publikimin një “insinuatë të turpshme” dhe hedh poshtë çdo pretendim se qeveria shqiptare mund të ketë lidhje me kufizimin e këtyre llogarive.

“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të paturpshme?”, shkruan Rama.

Kryeministri thotë se është mësuar prej vitesh me akuzat e kundërshtarëve të tij, por e konsideron të papranueshme që pretendime të tilla të vijnë nga persona që, sipas tij, paraqiten si demokratë europianë.

Rama ngre gjithashtu dyshime nëse kjo çështje mund të lidhet me të njëjtat burime që, sipas tij, kanë nxitur të ashtuquajturin “Revolucioni i Flamingove” dhe trazirat në Ceuta.

“Po sikur e gjithë kjo të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin ‘Revolucioni i Flamingove’, shumë prej të cilave ushqyen edhe kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: për t’i dhënë përsëri jetë një ‘revolucioni’ që tashmë është shuar”, shkruan Rama.

Kryeministri mohon kategorikisht çdo përfshirje të autoriteteve shqiptare në bllokimin apo kufizimin e profileve në rrjetet sociale.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetet teknike për të kryer një operacion të tillë”, thekson Rama.

Në fund, ai i akuzon autorët e pretendimeve për përhapje të informacioneve të pavërteta, duke i quajtur “një tufë dështakësh”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu