Pas viteve të dominimit të telefonave inteligjentë, një tendencë e re po përhapet në botë: rikthimi te celularët e thjeshtë, me tastierë fizike, pa rrjete sociale dhe pa njoftime të vazhdueshme.

Fenomeni i telefonave të quajtur “dumbphone”, e kundërta e smartphone, po fiton popullaritet jo vetëm mes të moshuarve, por edhe mes brezit të ri, që kërkon të shkëputet nga varësia digjitale.

Një kompani japoneze ka zhvilluar një telefon me vetëm tri funksione kryesore: telefonata, mesazhe SMS dhe aparat fotografik. Pajisja nuk ka akses në internet apo rrjete sociale.

Telefoni do të dalë në shitje më 25 dhjetor, me një çmim prej rreth 200 eurosh, ndërsa porositë paraprake kanë nisur.

Të rinjtë po rikthehen te telefonat me tastierë

Sipas një studimi amerikan të vitit 2024, shitjet e telefonave të thjeshtë mes të rinjve të moshës 18–24 vjeç u rritën me 148% gjatë periudhës 2021–2024.

Edhe në Britaninë e Madhe janë raportuar qindra mijëra shitje të telefonave me tastierë fizike.

Kërkimet e tregut tregojnë se dy të tretat e personave të moshës 13–39 vjeç po orientohen drejt përvojave analoge, jo për të refuzuar teknologjinë, por për të pasur më shumë kontroll mbi kohën e tyre.

Në Japoni, fenomeni lidhet edhe me tendencën kulturore “Heisei Retro”, që rikthen në modë produktet dhe stilin e jetesës së periudhës 1989–2019.

Lodhja digjitale dhe shëndeti mendor

Një studim i publikuar në revistën shkencore PNAS Nexus tregoi se bllokimi i internetit në telefon, duke mbajtur aktive telefonatat dhe mesazhet, solli përmirësim në të paktën një nga treguesit e mirëqenies, vëmendjes apo shëndetit mendor te 91% e pjesëmarrësve.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj njoftimeve, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve po krijon atë që ekspertët e quajnë “lodhje digjitale”.

Megjithatë, braktisja e plotë e smartphone-ve mbetet e vështirë. Pagesat bankare, navigimi, shërbimet publike dhe procedurat administrative po varen gjithnjë e më shumë nga përdorimi i internetit në telefon.

Rikthimi te celularët e thjeshtë nuk është më vetëm një çështje nostalgjie për kohën e Nokia 3310, por po shndërrohet në një zgjedhje të stilit të jetesës për njerëzit që duan të kalojnë më pak kohë përpara ekranit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu