
Protesta kundër qeverisë hyri në ditën e 15-të radhazi, ndërsa mbrëmjen e së dielës mijëra qytetarë marshuan në rrugët e Tiranës me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës politike aktuale.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin drejt Laprakës, duke mbushur akset kryesore të kryeqytetit me flamuj kombëtarë, pankarta dhe slogane kundër qeverisë.
Pamjet e publikuara nga lart tregojnë kolona të gjata protestuesish që lëvizin në rrugët e Tiranës, ndërsa nuk munguan thirrjet që tashmë janë kthyer në simbol të protestave: “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion”.
Një moment që tërhoqi vëmendjen gjatë protestës ishte reagimi i pjesëmarrësve pas njoftimit se deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, ishte larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për të vijuar si deputete e pavarur.
Lajmi u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit, të cilët e interpretuan si një sinjal dobësimi të mazhorancës. Nga podiumi u bë edhe thirrje që deputetja t’i bashkohej protestës.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është rikthyer në vëmendje interpretimi i aktorit të madh Reshat Arbana i poemës së njohur të Ali Asllanit “Hakërrim”, vargje që shumë protestues i konsiderojnë të lidhura me situatën aktuale politike në vend.
Protestat, që nisën si reagim ndaj projektit turistik në Zvërnec, kanë marrë tashmë përmasa më të gjera politike, me pjesëmarrje të qytetarëve nga Shqipëria dhe diaspora, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e tyre edhe në ditët në vijim.






