Një nga fenomenet astronomike më spektakolare të dekadave të fundit ka mbajtur miliona njerëz me sytë nga qielli mbrëmjen e 12 gushtit. Eklipsi total i Diellit përshkoi një pjesë të Europës, duke sjellë errësirë të plotë në zona të Spanjës dhe Islandës, ndërsa në Itali fenomeni ishte i pjesshëm.

Në Spanjë, mijëra njerëz u mblodhën përgjatë brezit të totalitetit për të parë momentin kur Hëna mbuloi plotësisht Diellin. Për disa çaste, dita u kthye në natë dhe u bë e dukshme kurora diellore. Fenomeni përfundoi në ishullin Formentera, në Baleare, përpara se hija e Hënës të largohej mbi Mesdhe.

Pamje spektakolare u regjistruan edhe në Islandën perëndimore. Edhe pse retë e dendura penguan në shumë zona pamjen e vetë Diellit, errësira e plotë mbuloi për pak minuta peizazhin.

Në Itali, eklipsi ishte vetëm i pjesshëm dhe arriti kulmin rreth orës 20:20-20:30. Në veriperëndim të vendit, mbulimi i diskut diellor iu afrua 95 për qind, por në disa qytete retë dhe mjegulla prishën spektaklin. Në Torino, qindra njerëz të mbledhur në Monte dei Cappuccini mbetën të zhgënjyer pasi një re mbuloi Diellin pikërisht në fazën më të fortë të fenomenit.

Në Milano, mijëra njerëz pushtuan Monte Stella për të ndjekur eklipsin, ndërsa në Spanjë interesimi ishte aq i madh sa Iberia organizoi edhe një fluturim të posaçëm, IB1473, për ta parë fenomenin nga mbi retë.

Mes atyre që udhëtuan drejt Spanjës ishte edhe Brian May, kitaristi legjendar i Queen, i cili ka doktoraturë në astrofizikë. May publikoi fotografi të eklipsit dhe e ndoqi fenomenin edhe përmes një transmetimi në Instagram.

Eklipsi i 12 gushtit ishte i pari total i dukshëm në Europën kontinentale që prej vitit 1999. Spektakli i radhës nuk është larg: më 2 gusht 2027, një tjetër eklips total do të kalojë mbi Mesdhe dhe Afrikën e Veriut, me fazën e totalitetit që do të zgjasë deri në 6 minuta e 23 sekonda.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu