
Një asteroid i zbuluar vetëm pak ditë më parë do të kalojë shumë pranë Tokës këtë të hënë, në një distancë më të afërt se ajo e Hënës, kanë njoftuar astronomët.
Asteroidi, i quajtur 2026 JH2, ka një diametër të vlerësuar prej rreth 19 metrash dhe pritet të kalojë rreth 57 mijë milje larg Tokës, sipas European Space Agency. Për krahasim, Hëna ndodhet mesatarisht 238 mijë milje larg planetit tonë.
Objekti hapësinor u zbulua më 10 maj nga astronomët e projektit Mount Lemmon Survey në Arizona të SHBA-së.
Sipas National Aeronautics and Space Administration, asteroidi nuk përbën rrezik për Tokën, megjithatë kalime kaq të afërta nga objekte të kësaj madhësie konsiderohen të rralla.
Shkëmbi kozmik pritet të arrijë pikën më të afërt me Tokën rreth orës 18:00 sipas kohës lindore amerikane, moment kur do të jetë edhe më i ndritshëm. Astronomët amatorë mund ta shohin përmes teleskopëve të vegjël.
Ekspertët kujtojnë se objekte të ngjashme kanë hyrë më parë në atmosferën e Tokës. Rasti më i famshëm mbetet meteori i Chelyabinsk në vitin 2013, i cili shpërtheu mbi Rusi duke shkaktuar dëme të shumta dhe valë goditëse të fuqishme.
Astronomët po monitorojnë gjithashtu asteroidin gjigant Apophis, me diametër rreth 370 metra, i cili pritet të kalojë vetëm 20 mijë milje larg Tokës në vitin 2029.



