
Një tërmet i vërtetë pritet të godasë Federatën Shqiptare të Futbollit. Sipas raportimeve të fundit, trajneri brazilian Sylvinho ka mbyllur aventurën e tij në stolin kuqezi dhe largimi i tij pritet të zyrtarizohet sot.
Burime pranë News24 bëjnë me dije se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Sylvinho e kanë marrë vendimin prej kohësh, ndërsa mungon vetëm komunikimi publik.
Federata ka njoftuar një konferencë të jashtëzakonshme në orën 10:00, ku pritet të konfirmohet mosrinovimi i kontratës së teknikut brazilian dhe prezantimi i trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare.
Pak ditë më parë, Duka deklaroi se “fjala e fundit i takon Sylvinho-s”, duke lënë të kuptohej se negociatat për rinovimin nuk kishin përfunduar ende. Megjithatë, sipas raportimeve, braziliani ka vendosur të largohet.
Sylvinho largohet duke lënë pas një nga periudhat më të suksesshme në historinë e Kombëtares. Nën drejtimin e tij, Shqipëria siguroi kualifikimin në Evropian dhe për herë të parë arriti në fazën “play-off” të një Botërori.
Tashmë vëmendja është zhvendosur tek emri që do të marrë drejtimin e “Shqiponjave”, ndërsa pritet që FSHF të zbulojë sot pasuesin e Sylvinho-s.






