
Shtëpia e Bardhë ka lançuar “Trump TV: The Essentials Station”, një platformë online që transmeton 24 orë në ditë materiale me presidentin amerikan Donald Trump, fjalime, njoftime dhe aktivitete të administratës së tij. Nisja e kanalit është konfirmuar edhe nga Shtëpia e Bardhë.
Vëmendje ka tërhequr veçanërisht spoti promovues i “Trump TV”. Në të janë përdorur fragmente nga disa prej serialeve dhe filmave më të njohur amerikanë, mes tyre “The Simpsons”, “Friends”, “Breaking Bad”, “SpongeBob”, “Home Alone” dhe “The Dark Knight”.
Pamjet shoqërohen nga kënga e njohur “Video Killed the Radio Star”, ndërsa në ekran shfaqet vazhdimisht logoja “Trump TV”.
Përdorimi në të njëjtin spot i materialeve që lidhen me studio dhe kompani të mëdha të industrisë së filmit dhe televizionit ka ngritur pikëpyetje në mediat amerikane dhe ndërkombëtare nëse administrata ka siguruar autorizimet përkatëse të të drejtave të autorit. Deri tani nuk është bërë publik ndonjë sqarim i plotë për këtë çështje.
“Trump TV” transmetohet përmes platformave digjitale të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë faqen zyrtare dhe YouTube, duke ofruar një kanal të drejtpërdrejtë për shpërndarjen e materialeve të administratës.
Lançimi vjen në një moment përplasjeje mes administratës Trump dhe disa mediave amerikane, pasi CNN, MS NOW dhe Politico-s iu hoq aksesi në Shtëpinë e Bardhë. Mediat e prekura e kanë kundërshtuar vendimin në gjykatë, ndërsa disa prej rrjeteve të tjera televizive kanë pezulluar pjesëmarrjen në mbulimin e përbashkët të aktiviteteve presidenciale.






