
Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK që lidhet me hetimet ndaj biznesmenit Ergys Agasi, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa ambiente në Durrës.
Në pranga është vënë Fatjon Kalluçi, shef i Laboratorit Shkencor të Policisë së Shtetit, si dhe Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier në një lokal pranë rezidencave qeveritare në Durrës.
Sulejmani dyshohet se ka fshirë pamje të kamerave të sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit. Pamjet dyshohet se mund të dokumentonin takime të zhvilluara nga biznesmeni gjatë kohës që frekuentonte lokalin.
SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në zonën e Shkozetit, ku familjarë të Sulejmanit rezultojnë të kenë një kompani tregtare, “Euro Zimeg”.
Operacioni është pjesë e hetimeve të zgjeruara pas materialeve të sekuestruara në çështjen e Ergys Agasit. Gjatë së njëjtës ditë janë zhvilluar kontrolle edhe ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të institucioneve të sigurisë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e personave të përfshirë dhe nëse janë ndërmarrë veprime për zhdukjen apo manipulimin e provave. Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






