
Ismail Kadare rikthehet simbolikisht në Prishtinë përmes një ekspozite që sjell në vëmendje jo vetëm trashëgiminë e tij letrare, por edhe marrëdhënien e veçantë me Kosovën dhe mbështetjen që shkrimtari i dha çështjes së shqiptarëve në periudha vendimtare të historisë.
Ekspozita, e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare – Bashkia Tiranë, përmban dokumente dhe materiale që pasqyrojnë krijimtarinë e shkrimtarit, lidhjen e tij me Kosovën dhe angazhimin e tij intelektual.
“Kadare ishte më shumë se një shkrimtar i madh”
Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministrja e parë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, theksoi se për Kosovën, Kadare nuk ishte vetëm një figurë e jashtëzakonshme e letërsisë, por edhe një zë i rëndësishëm në mbrojtje të shqiptarëve.
“Për ne në Kosovë, Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai vuri autoritetin dhe famën e tij në funksion të çlirimit të Kosovës dhe ndaljes së politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve”, deklaroi ajo.
Arapi-Krasniqi kujtoi se veprat e Kadaresë shoqëruan shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të vështira, duke u kthyer në një burim qëndrese dhe shprese.
“Veprat e tij na shoqëruan në vite të vështira dhe na kujtuan se fjala mund të jetë rezistencë, kujtesë dhe shpresë”, u shpreh zëvendësministrja.
Ambasadori Malaj: E bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë botërore
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi dimensionin ndërkombëtar të krijimtarisë së Kadaresë dhe aftësinë e tij për ta shndërruar përvojën historike shqiptare në një pjesë të kujtesës universale.
“Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale”, tha Malaj.
Sipas ambasadorit, pavarësisht jehonës ndërkombëtare, Kadare mbeti thellësisht i lidhur me identitetin, rrënjët dhe historinë shqiptare.
Një univers letrar që i mbijeton kohës
Drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, e cilësoi Kadarenë pjesë të asaj kategorie të rrallë autorësh që arrijnë të krijojnë një univers të tërë letrar përmes veprave të tyre.
Ekspozita në Prishtinë synon të sjellë në vëmendje këtë trashëgimi, duke bashkuar dimensionin artistik të shkrimtarit me rolin e tij intelektual në historinë shqiptare.
Për Kosovën, kujtimi i Kadaresë mbetet i lidhur jo vetëm me librat e tij, por edhe me mbështetjen që ai i dha çështjes së saj, duke përdorur autoritetin dhe njohjen ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.






