Erion Veliaj ka publikuar në Facebook një video të etiketuar si përmbajtje e krijuar me inteligjencë artificiale (AI), përmes së cilës njofton se ka miratuar projektet për ndërtimin e 15 çerdheve dhe kopshteve të reja në Tiranë, me një kapacitet të parashikuar prej 1.441 fëmijësh.

Postimi shoqërohet me akuza të forta ndaj institucioneve të drejtësisë dhe me një mesazh sfidues pas transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

“Edhe në Hënë po të më internojnë, nuk heq dorë nga Tirana”

Në mesazhin e publikuar, Veliaj pretendon se është larguar në mënyrë të padrejtë nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe se po mbahet në paraburgim për arsye politike.

“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!”, shkruan ai.

Veliaj e lidh mesazhin edhe me transferimin e tij në Fier, të cilin e ka kundërshtuar publikisht.

“Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, deklaron ai.

Akuzat për paraburgim politik, kërcënime dhe shkelje kushtetuese janë pretendime të Veliajt.

15 çerdhe dhe kopshte të reja, ja ku parashikohen

Sipas listës së publikuar nga Veliaj, projektet përfshijnë shtatë kopshte dhe tetë çerdhe, të shpërndara në disa zona të kryeqytetit.

Kopshtet e parashikuara janë:

  • Don Bosko – 150 fëmijë
  • Fresku – 150 fëmijë
  • Daias, Petrelë – 16 fëmijë
  • Tufinë, Dajt – 33 fëmijë
  • Shkolla “17 Shkurti” – 122 fëmijë
  • Tregu Elektrik – 120 fëmijë
  • Zogu i Zi – 150 fëmijë

Ndërsa çerdhet e reja parashikohen në:

  • Kodra e Diellit – 50 fëmijë
  • Don Bosko – 100 fëmijë
  • Liqeni i Thatë – 50 fëmijë
  • Stacioni i Trenit – 100 fëmijë
  • Fusha e Aviacionit – 100 fëmijë
  • Dogana – 100 fëmijë
  • Yzberisht – 100 fëmijë
  • Astir – 100 fëmijë

Në total, kapaciteti i deklaruar i këtyre projekteve është 741 vende në kopshte dhe 700 vende në çerdhe.

Veliaj: Arrijmë në 130 çerdhe dhe kopshte të ndërtuara ose të projektuara

Në postimin e tij, Veliaj pretendon se me miratimin e 15 projekteve të fundit, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.

Megjithatë, postimi nuk jep detaje për afatet e ndërtimit, fondet e nevojshme apo procedurat administrative që lidhen me projektet e reja.

Videoja me AI, një tjetër formë komunikimi nga paraburgimi

Elementi i veçantë i këtij komunikimi është përdorimi i inteligjencës artificiale. Postimi në Facebook mban etiketën “AI content”, që tregon se përmbajtja është krijuar ose modifikuar me ndihmën e kësaj teknologjie.

Në këtë mënyrë, Veliaj ka zgjedhur të përcjellë mesazhin e tij politik dhe njoftimin për projektet e Bashkisë së Tiranës përmes një videoje me AI, ndërkohë që ndodhet në paraburgim.

Publikimi vjen në vijim të reagimeve të tij kundër transferimit në Fier dhe pretendimeve për mënyrën se si po trajtohet nga institucionet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu