
Zhvillimet e fundit në Tiranë me drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, kanë rikthyer vëmendjen e mediave të Kosovës te largimi i saj nga drejtimi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në vitin 2021.
Hyseni mbante postin e zëvendësdrejtoreshës së AKI-së kur u shkarkua me vendim të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Sipas raportimeve të rikthyera në vëmendje nga mediat kosovare, në njoftimin e shkarkimit Hysenit i kujtohej në mënyrë të posaçme detyrimi ligjor për ruajtjen e informacioneve të klasifikuara që kishte administruar gjatë ushtrimit të detyrës.
Në këto raportime theksohej se zbulimi i informacioneve të klasifikuara mund të sillte përgjegjësi penale. Pikërisht ky element është risjellë në vëmendje pas zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku Hyseni tashmë është person nën hetim nga SPAK.
Pas largimit nga AKI, karriera e saj vijoi në Shqipëri. Hyseni u angazhua si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë, ndërsa në vitin 2023 mori drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
SPAK konfirmoi këtë të martë se ndaj drejtueses së SHISH është caktuar masa “arrest në shtëpi”, së bashku me “pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Mediat kosovare raportojnë gjithashtu për zhvillimin dhe masat ndaj saj në kuadër të dosjes “AKSHI”.
Sipas njoftimit të SPAK, Hyseni është person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Masa e sigurisë nuk është ekzekutuar ende, pasi ajo nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri.
Rikthimi i historisë së shkarkimit nga AKI merr vëmendje pikërisht për shkak të referimit të atëhershëm ndaj detyrimit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe hetimit që po zhvillohet sot ndaj saj në Shqipëri.






