Një mace me vështrim serioz dhe kartën e Kryeministrit nën putra është fotografia plot alegori që Edi Rama ka zgjedhur të ndajë në rrjetet sociale.

Fotoja është dërguar nga familja e Bledi Hasës, që jeton në Amerikë. Në të, macja qëndron mbi kartën ku shkruhet “Kryeministri Edi Rama”, sikur të ketë marrë nën kontroll jo vetëm dokumentin, por edhe vetë pushtetin.

Rama e shoqëroi fotografinë me një lojë fjalësh, duke falënderuar familjen për mesazhin “kaq jogërvishtës”. Por imazhi thotë më shumë se përshkrimi: kartën e ka macja, pushteti është nën putrat e saj dhe Kryeministrit i mbetet ta publikojë.

Edhe qëndrimi i “protagonistes” duket institucional. Me shikimin e ngulur përpara dhe njërën putër mbi kartë, ajo ngjan sikur sapo ka marrë detyrën dhe po pret raportimin e ministrave.

Nuk dihet cili ishte teksti i plotë që shoqëronte fotografinë, por mesazhi vizual është i qartë: në politikë mund të ndryshojnë emrat, kabinetet dhe aleancat, por gjithmonë ekziston dikush që e mban kartën nën putra.

Dhe këtë herë, për fat të Kryeministrit, të paktën thonjtë qëndruan të fshehur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu