Seanca gjyqësore e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado, është zhvilluar këtë të premte në Gjykatën Administrative mes debateve për transparencën e procesit dhe mungesës së përfaqësuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjykata refuzoi sërish kërkesën e mediave për transmetimin live të seancës, duke argumentuar se vendimi për ndalimin e kamerave është marrë që më 8 maj dhe vijon të mbetet në fuqi. Sipas vendimit, kamerat lejohen vetëm në momentet kur jepen vendime të ndërmjetme ose përfundimtare.

Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e cilësoi procesin “qesharak”, duke akuzuar gjykatën për mungesë transparence dhe kufizim të aksesit të publikut. “Po kthehet në një gjykatë të mbyllur me hekura”, deklaroi ai gjatë seancës.

Ndërkohë, në gjykatë u paraqit edhe vetë Erion Veliaj, i cili mbante në duar librin “Mbi durimin e të urtit” të Senekës. Në mbështetje të tij ishte i pranishëm edhe aktori Gaz Paja, i cili kishte marrë pjesë edhe në seancën e kaluar.

Një zhvillim tjetër ishte kërkesa e Shoqatës “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” për t’u pranuar si palë në proces. Shoqata argumenton se ligjshmëria e emërimit të Ols Dados nuk është vetëm një çështje individuale, por prek integritetin e sistemit të drejtësisë, besimin e publikut dhe vlefshmërinë e vendimmarrjeve të prokurorit në çështje me interes të lartë publik.

Veliaj kërkon në gjykatë konstatimin e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror, duke argumentuar se procesi i përzgjedhjes së tij ka pasur parregullsi ligjore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu