
Bilanci i përmbytjeve shkatërrimtare në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit është rënduar ndjeshëm. Të paktën 579 persona kanë humbur jetën dhe 1.924 të tjerë rezultojnë të zhdukur vetëm në Nepal.
Mes personave të pagjetur janë të paktën 517 shtetas të huaj. Autoritetet paralajmërojnë se shifrat mund të ndryshojnë, pasi institucione të ndryshme vijojnë të mbledhin të dhëna nga zonat e izoluara.
Në Tibet janë konfirmuar pesë viktima dhe raportohet për 558 persona të zhdukur. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse një pjesë e tyre përfshihet edhe në bilancin e publikuar nga Nepali.
Katastrofa u shkaktua nga shembja e një pjese të madhe të akullnajës pranë majës Langtang Lirung, në një lartësi prej më shumë se 7.200 metrash. Masa e akullit, gurëve dhe baltës krijoi një valë gjigante, e cila përfshiu luginat dhe shkatërroi banesa, rrugë, diga hidroenergjetike dhe pikën kryesore kufitare mes Nepalit dhe Tibetit.
Pamjet satelitore tregojnë se uji dhe mbetjet u ngjitën në disa zona deri në 100 metra mbi nivelin normal të lumit. Dëmet shtrihen përgjatë kilometrave të tërë të luginës së lumit Trishuli.
Rreth 15 mijë efektivë të forcave të sigurisë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Deri tani janë shpëtuar afërsisht katër mijë persona, ndërsa shumë komunitete mund të arrihen vetëm me helikopter për shkak të shkatërrimit të rrugëve dhe urave.
Situata mbetet tepër e rrezikshme. Autoritetet po monitorojnë dy akullnaja të tjera pranë vendit ku ndodhi shembja, pasi në fotografitë e siguruara janë vërejtur çarje.
Ekspertët sqarojnë se çarjet nuk dëshmojnë domosdoshmërisht një shembje të afërt, por paralajmërojnë se njëra prej akullnajave përmban masa akulli të varura në shpate të pjerrëta, të cilat kërkojnë vëzhgim të vazhdueshëm.
Alarm është ngritur edhe për një liqen të krijuar pas grumbullimit të ujit pas një dige natyrore me baltë dhe shkëmbinj. Nëse barriera shembet, një sasi e madhe uji mund të çlirohet menjëherë dhe të shkaktojë një valë të dytë përmbytjesh.
Reshjet e dendura të parashikuara gjatë fundjavës pritet ta vështirësojnë më tej operacionin, ndërsa familje nga dhjetëra vende vazhdojnë të presin lajme për të afërmit e tyre.
Burimi: BBC






