
Një akt i rëndë vandal ka tronditur Medjugorjen në Bosnje-Hercegovinë, një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit katolik në botë. Një person i paidentifikuar i ka vënë flakën altarit të jashtëm të Kishës së Shën Jakobit, ndërsa gjithçka është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Përveç zjarrit në altar, autorët kanë dëmtuar edhe dy statuja të Virgjëreshës Mari, duke i spërkatur me bojë të zezë në Kodrën e Shfaqjeve dhe pranë Kryqit Blu. Në vendngjarje janë gjetur edhe mbishkrime fyese në gjuhën angleze, mes tyre “Devil in a skirt” (“Djalli me fund”) dhe “Evil” (“E keqja”).

Sipas hetimeve paraprake, sulmi ndodhi pak pas orës 04:00 të mëngjesit. Vandali dëmtoi gjithashtu edhe tendën mbrojtëse të altarit të jashtëm, e cila ishte rinovuar së fundmi.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje mes besimtarëve dhe komunitetit katolik, pasi ndodh vetëm pak ditë para nisjes së Festivalit Ndërkombëtar të të Rinjve “Mladifest”, që çdo vit mbledh dhjetëra mijëra pelegrinë nga e gjithë bota në Medjugorje.
Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Medjugorja është një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit katolik në botë, ku që prej vitit 1981 gjashtë të rinj pretendojnë se kanë pasur shfaqje të vazhdueshme të Virgjëreshës Mari, duke tërhequr çdo vit miliona besimtarë nga e gjithë bota.






