Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ku pamjet e kamerave të sigurisë rindërtojnë minutë pas minute përplasjen që përfundoi me vdekjen e tij.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 18 gushtit, në zonën e plazhit pranë kompleksit “Principotes”. Sipas përshkrimit të pamjeve të administruara nga hetuesit, rreth orës 05:15 në plazh ndodheshin disa turistë, mes tyre edhe Mendes, kur në zonë janë afruar Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dhe David Heurtevent.

Kamerat tregojnë se fillimisht nis një përplasje fizike mes Vatës dhe një prej personave të grupit. Pak më vonë situata përshkallëzohet, ndërsa Vata ndjek dhe godet një tjetër turist.

Në orën 05:17:14, Luis Mendes ndërhyn në konflikt dhe shtyn Vatën, duke e rrëzuar. Pas kësaj, sipas dosjes, Vata ngrihet dhe së bashku me David Heurtevent nis ta godasë 20-vjeçarin portugez.

Përballë sulmit, Mendes largohet me shpejtësi drejt detit dhe futet në ujë, në përpjekje për t’u shpëtuar goditjeve. Por përplasja nuk përfundon aty.

Kur del sërish nga deti, i riu afrohet në një zonë pranë kamarierëve, ku sipas materialit hetimor goditet përsëri me grushte dhe shtyhet drejt ujit.

Pak sekonda më vonë, Mendes del sërish nga deti dhe ecën drejt shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në këtë moment, në pamjet e kamerave, bluza e tij e bardhë përshkruhet si e gjakosur.

Më pas nga zona largohen edhe David Heurtevent dhe Sokrat Vata, të cilët gjithashtu shfaqen me njolla gjaku në veshje.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë në përleshje, si dhe momentin e saktë kur Luis Miguel Varela Mendes u godit me thikë, plagë që rezultoi fatale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu