
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Tiranë një takim me drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës, duke vënë në fokus të drejtat, përfaqësimin dhe nevojat konkrete të shqiptarëve në Serbi.
Në takim morën pjesë deputeti Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Hoxha bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, ruajtja e identitetit kombëtar dhe forcimi i përfaqësimit të tyre në jetën politike dhe institucionale të Serbisë.
“Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike”, deklaroi ministri.
Sipas tij, këto çështje kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret mes institucioneve shqiptare dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës.
Hoxha theksoi se të drejtat e shqiptarëve në Luginë mbeten një nga prioritetet e qëndrueshme të aksionit diplomatik të Shqipërisë.
“Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim, dialog dhe mbështetje konkrete”, përfundoi ministri.






