
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar intensifikimin e aksionit opozitar gjatë muajit shtator, duke e cilësuar atë si “muajin e goditjes vendimtare” ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të shtojnë pjesëmarrjen në protesta, ndërsa përsëriti kërkesën për krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Le të jetë shtatori muaji që të ndahemi përfundimisht nga kjo diktaturë”, deklaroi ai.
Berisha bëri të ditur gjithashtu se e enjtja do të jetë një ditë e rëndësishme për PD-në, pasi do të mblidhet Këshilli Kombëtar për të përcaktuar veprimtarinë dhe qëndrimet e mëtejshme të opozitës. Ai paralajmëroi një fazë të re organizimi dhe modernizimi të strukturave të partisë, me fokus më të madh te anëtarësia.
Kreu demokrat tha se do të vazhdojë të mbështesë protestën qytetare, por nuk do të marrë pjesë personalisht për sa kohë ajo ruan karakterin e saj jopartiak, pasi sipas tij prania e tij mund të interpretohej si përpjekje për ta politizuar.
Në bashkëbisedim Berisha u ndal edhe te kriminaliteti, vrasja e turistit portugez në Ksamil, incidenti me Arjan Konomin në Vuno, çmimi i naftës dhe projektin për një shtet sovran bektashi, të cilin e cilësoi antikushtetues.
Ai premtoi se një qeveri e ardhshme e PD-së do të përgjysmonte taksën mbi karburantet dhe do të subvenciononte qiratë për studentët.
Berisha komentoi gjithashtu incidentin në Pustec, ku nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar gjatë aktivitetit ku ishte i pranishëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, duke kritikuar reagimin e qeverisë dhe përgjegjësinë e autoriteteve vendore.
Në mbyllje, kreu i PD-së përsëriti se strategjia e opozitës do të mbështetet te protestat dhe mosbindja civile.






