Të paktën dhjetë mbetje kockore të gjetura gjatë gërmimeve në tri varre masive në Zubin-Potok janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, për t’iu nënshtruar procesit të identifikimit.

Mbetjet dyshohet se mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “grupi i intelektualëve”. Autoritetet sqarojnë se identiteti i viktimave nuk mund të konfirmohet pa përfunduar ekzaminimet mjekoligjore dhe analizat gjenetike.

Familjarët vizituan zonat e Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, ku u zbuluan varret masive. Pas 27 vitesh pritjeje dhe pasigurie, ata thanë se gjetja e mbetjeve përbën një lehtësim, megjithëse dhimbja mbetet e madhe.

“Së paku ta gjejmë varrin dhe të kemi ku t’i vendosim lulet”, u shpreh Sadete Ujkani Gërxhaliu, motra e dy prej personave të zhdukur.

Flaka Fazliu, vajza e doktor Fahri Fazliut, tha se familjarët ende po përpiqen ta përpunojnë emocionalisht lajmin dhe janë në pritje të rezultateve përfundimtare.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në tri lokacionet janë zhvarrosur mbetje që dyshohet se u përkasin të paktën 13 individëve. Numri përfundimtar do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave mjekoligjore.

Procesi i gërmimeve në Kalludër dhe Jabukë nisi më 28 korrik. Autoritetet thanë se zbulimi i varreve masive ishte rezultat i hetimeve dhe kërkimeve të zhvilluara gjatë disa viteve.

Prokurorja Florije Shamolli deklaroi se çështjen e 23 të zhdukurve po e heton prej shtatë vitesh dhe se provat e mbledhura deri tani i orientojnë hetimet drejt këtij grupi. Megjithatë, ajo theksoi se përgjigjja përfundimtare mund të vijë vetëm nga analizat e ADN-së.

Lidhur me rastin po hetohen tre persona me inicialet J.R., M.J. dhe M.B., të dyshuar për “krime lufte kundër popullsisë civile”. Ata ndodhen në paraburgim.

Ministri në detyrë, Andin Hoti, akuzoi Serbinë se vazhdon të mbajë të mbyllura arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur rreth 1.560 persona.

Burimi: KOHA.net/KosovaPress

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu