Shqipëria do të përfitojë 185,6 milionë euro në pagesën e katërt të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ndërsa performanca në zbatimin e reformave do t’i mundësojë vendit të marrë 15% më shumë fonde nga ky instrument financiar i Bashkimit Europian.

Lajmi u bë i ditur nga komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë me temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.

Në fokus të samitit janë zbatimi i reformave, integrimi ekonomik dhe përfshirja graduale e vendeve të rajonit në tregun e përbashkët europian.

Rama: Qytetarët nuk duhet të presin anëtarësimin për të përfituar nga BE-ja

Në hapje të samitit, kryeministri Edi Rama e cilësoi momentin aktual vendimtar jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Europën.

Sipas tij, Plani i Rritjes ka vënë në lëvizje një qasje të re të integrimit gradual, të mbështetur në tri dimensione: reforma, konvergjencë ekonomike dhe kohezion rajonal.

“Qytetarët tanë nuk duhet të presin të përfitojnë nga mundësi më të mira. Bizneset tona nuk duhet të presin që të përfitojnë e të bëhen pjesë e zinxhirit të vlerës së Bashkimit Europian. Nuk duhet të presin që të korrin përfitimet e integrimit nga tregu i përbashkët”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se bashkëpunimi me BE-në është thelbësor edhe për transformimin e institucioneve dhe procesin e shtetndërtimit.

Ai vlerësoi transferimin e njohurive dhe ekspertizës europiane, duke nënvizuar se e ardhmja europiane përbën një përgjegjësi të përbashkët të vendeve të rajonit.

Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi shpërblehen për reformat

Në prag të vitit të fundit të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes, komisionerja Marta Kos prezantoi rezultatet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe do të marrë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave.
  • Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro në pagesën e katërt.
  • Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave dhe do të përfitojë 70,9 milionë euro.

Për shkak të rezultateve të arritura, Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë secili 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë.

“Përgëzime, sepse ju e keni merituar këtë me anën e përpjekjeve për reforma që keni bërë”, deklaroi Kos.

Pjesëmarrje në institucionet e BE-së përpara anëtarësimit

Komisionerja europiane njoftoi se qasja e re e integrimit gradual parashikon jo vetëm hapjen e sektorëve të tregut të përbashkët europian, por edhe pjesëmarrjen e vendeve kandidate në institucionet e Bashkimit Europian përpara anëtarësimit të plotë.

“Do të ketë më shumë Europë edhe para anëtarësimit, por ky integrim gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit”, theksoi Kos.

Me përparimin e reformave dhe harmonizimin e legjislacionit me rregullat europiane, vendet e rajonit do të kenë akses më të gjerë në tregun e përbashkët, përfshirë sektorët e energjisë dhe transportit, si dhe bashkëpunimin në teknologjinë digjitale.

“Gjithashtu në planet tona, ne do të ofrojmë më herët pjesëmarrjen tuaj në institucionet e BE-së, në ato fusha ku ju po ecni më shpejt përpara”, deklaroi komisionerja.

Korridori VIII, pjesë e rrjetit strategjik që lidh Europën me Azinë

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i komisioneres lidhej me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në korridoret strategjike ndërkombëtare të transportit.

Kos evidentoi Korridorin VIII, që lidh portin e Durrësit dhe bregdetin e Adriatikut me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë në Detin e Zi.

Bashkimi Europian e konsideron këtë korridor pjesë të një rrjeti më të gjerë rrugor dhe hekurudhor që lidh Europën Qendrore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, duke vijuar drejt Azisë Qendrore.

Sipas komisioneres, përfshirja më e madhe e korridoreve të Ballkanit Perëndimor në agjendën europiane të transportit është një përparësi e BE-së dhe një mundësi e rëndësishme ekonomike për rajonin, veçanërisht në kushtet kur shumë prej korridoreve ndërkombëtare tregtare janë nën presion.

Serbia pa pagesa që prej janarit, Kosova përballë një mundësie të re

Komisionerja bëri të ditur se Serbia nuk ka marrë asnjë pagesë nga Komisioni Europian që prej janarit, për shkak të mungesës së rezultateve në zbatimin e reformave të dakordësuara me qeverinë e mëparshme.

Kos konfirmoi se ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e Listës Studentore në Serbi për strukturimin e reformave dhe mundësinë e përfitimit të më shumë fondeve.

Për Kosovën, komisionerja e konsideroi krijimin e institucioneve të reja si një mundësi për përshpejtimin e reformave dhe procesit të integrimit europian.

Duke iu drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Kos njoftoi se do të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit për të diskutuar avancimin dhe zgjerimin e këtij procesi.

Ndërsa Bosnjë-Hercegovina duhet ende të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme për të përfituar fondet, një proces që pritet të marrë përparësi pas formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit.

Afrimi me BE-në shton interesin e investitorëve të huaj

Duke iu referuar Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, Kos deklaroi se kishte konstatuar një interes të madh të investitorëve europianë për mundësitë ekonomike që ofron rajoni.

Sipas saj, përvoja ka treguar se sa më shumë një vend kandidat i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian, aq më i madh bëhet interesi i investitorëve të huaj.

Komisionerja u bëri thirrje liderëve të rajonit që ta shfrytëzojnë vitin e fundit të Planit të Rritjes për të përshpejtuar reformat, për të prodhuar rezultate konkrete dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu