28 Nëntori do të njihet çdo vit si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Nju Jorkut. Këshilli i qytetit ka miratuar një rezolutë të posaçme, duke i dhënë njohje zyrtare kësaj date të rëndësishme për shqiptarët.

Rezoluta nr. 0186-2026 u miratua më 19 nëntor, pasi mori mbështetjen edhe të Komisionit për Çështjet Kulturore, Bibliotekat dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Nisma u paraqit nga këshilltarja Amanda C. Farías dhe u mbështet nga Shirley Aldebol, Farah N. Louis, Selvena N. Brooks-Powers, Frank Morano dhe David M. Carr. Procedura kishte nisur më 12 shkurt të këtij viti.

Dokumenti përcakton shprehimisht njohjen e 28 nëntorit të çdo viti si “Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Nju Jorkut”. Kjo njohje institucionale përkon me 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe përbën një vlerësim për komunitetin shqiptar në metropolin amerikan.

Rezoluta ka karakter përkujtimor dhe nuk parashikon ditë pushimi apo mbylljen e institucioneve. Vendimi zbatohet për qytetin e Nju Jorkut.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu